Në Kupën e Shqipërisë në Çiklizëm morën pjesë rreth 50 sportistë nga Shqipëria dhe Kosova, në një garë të zhvilluar në dy kategori dhe me itinerare të gjata në juglindje të vendit. Në kategorinë Kadetë, gara u zhvillua në një distancë prej 54 kilometrash, përgjatë segmentit Piskupat – Pogradec – Maliq – Korçë. Fitues u shpall Nedion Demiri nga Skënderbeu, ndërsa vendi i dytë shkoi për Dion Bytyçin nga Kosova dhe i treti për Xhasti Pashko, po nga Skënderbeu. Ndërsa në kategorinë Elite/U23/Junior, sportistët përshkuan një itinerar prej 122.6 kilometrash, Qukës – Trebinjë – Maliq – Bilisht – Korçë. Vendin e parë e fitoi Henri Hysa nga Tirana, i ndjekur nga Blerton Nuha nga Kosova dhe Olsion Velia po nga Tirana. Një moment i veçantë i garës ishte pjesëmarrja e Hera Mesi, 12 vjeçe nga Tirana, e vetmja vajzë në këtë edicion, e cila u vlerësua për guximin dhe përfshirjen në një garë të kësaj natyre.