Në njësitë administrative Dërmenas dhe Topojë të Bashkisë Fier, 4 nga 6 kullat e ujit janë jashtë funksionit, ndërsa strukturat në fshatrat Shën Pjetër dhe Topojë paraqesin rrezik serioz për banorët. Të ndërtuara rreth gjysmë shekulli më parë për furnizimin me ujë të pijshëm, këto kulla dikur garantonin shërbim 24 orë për disa fshatra të zonës. Pas viteve ’90 ato u lanë në mëshirë të fatit dhe prej më shumë se një dekade kanë nisur degradimin e pandalshëm. Sot, të rrënuara dhe pa asnjë funksion, janë kthyer në struktura të rrezikshme që mund të shemben në çdo moment.