Për herë të 46-të me radhë, përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar. As seanca e së dielës nuk solli zgjidhje, pasi deputetët nuk arritën të formojnë komisionin për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit. Seanca e radhës është thirrur për të martën, në orën 11:00, në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin institucional që po zgjat tashmë prej javësh. Deputetët e Vetëvendosjes deklaruan se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit gëzon mbështetje të plotë nga të gjitha subjektet e shumicës parlamentare: Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme në asnjë nga 46 tentativat e deritanishme.