Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar (FKAK) ka ngritur shqetësimin mbi gjendjen e kësaj kategorie për shkak të mos miratimit të projektligjit për vlerësimin, njohjen e statutit, përfitimet dhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuara, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Kërkesat e Forumit ishin që personave me aftësi të kufizuara t’iu garantohet shkollimi, të gëzojnë shërbime terapeutike, vend të sigurt pune, pasi ligji që garanton punësimin e tyre nuk po gjen zbatim. Drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Beqiri tha se në raportin e progresit për Kosovën 2023, ngrihet shqetësimi lidhur me faktin se 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara nuk janë të përfshirë në sistemin arsimor.