Përsëri deputetët e Kosovës dështuan të shtunën në mbrëmje të konstituonin Kuvendin e ri. Pavarësisht vendimit të gjykatës më të lartë të vendit që i detyron ata të formojnë institucionin ligjvënës deri më 26 korrik, ligjvënësit nuk mundën për herë të 42-të të krijonin parlamentin e ri. Në seancën e së shtunës, ndryshe nga të mëparshmet, të pranishëm ishin vetëm 74 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës. Dështimi i radhës erdhi pavarësisht takimeve të presidentes Vjosa Osmani me partitë parlamentare për të ndihmuar në gjetjen e një rrugëdaljeje dhe paralajmërimeve të saj se do të ketë pasoja juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.