Në Korçë në mbrëmjen e fundit të shkurtit u ndezën zjarret tradicionale të Ditës së Verës , duke çelur simbolikisht festimet për ardhjen e ditëve të ngrohta. Në disa lagje të qytetit, fëmijë, të rinj dhe familjarë u mblodhën rreth flakëve, duke rikthyer një zakon të hershëm që përcillet brez pas brezi. Zjarret e fundit të dimrit simbolizojnë pastrimin dhe largimin e stinës së ftohtë, ndërsa flaka shihet si shenjë për mbarësi, shëndet dhe begati. Të rinjtë kërcyen mbi zjarr sipas traditës, ndërsa atmosfera u shoqërua me këngë dhe urime për një pranverë të mbarë.