Kush zyrtar abuzon me fondet e shtetit apo favorizon në tendera pa garë reale, mund t’ia hedh pa u lagur me ndryshimet e kërkuara në Kodin Penal. Jo vetëm propozohet ulja e masës së dënimit me 3 vite më pak krahasuar me kodin aktual për ata funksionarë publikë që kryejnë veprime ose mosveprime në shkelje të ligjit, por rindërtimi i fjalive shton paqartësinë e gjykimit ku duhet vërtetuar qëllimi kriminal për nenin e shpërdorimit të detyrës apo qëllimi i përfitimit në dispozitën e shkeljes së barazisë në tendera.