Ndarja nga jeta parakohe në moshën 40-vjeçare e këngëtarit Shpat Kasapit, ishte tronditës për familjarët, miqtë dhe publikun. Kasapi ndodhej në Itali së bashku me të shoqen dhe djalin e tyre 4-vjeçar, për një kontroll mjekësor për të birin, kur në orët e vona të së martës është ndjerë papritur keq dhe ka ndërruar jetë. Në një intervistë për gazetaren e Top Channel Ana Kurti, vëllai i tij, Albini, u shpreh se ndihma e parë mjekësore i është dhënë në banesë, por nuk ka mundur që të mbijetojë. Ai tha se deri tani dyshohet se shkak për ndarjen nga jeta është bërë një arrest kardiak. “Lajmin e kemi marrë në orën 23:30- 00:00 të së martës. Na ka ardhur lajmi nga Italia, nga një provincë e Milanos, ku shpati para dy ditësh bashkë me gruan e tij kanë çuar çunin për një kontroll. Ka qenë mirë, por në darkë ka pasur pak probleme me stomakun dhe shtrëngime në gjoks, ka pushuar pak, dhe më pas ka pasur shqetësime. Besojmë se ka pësuar atak, dhe ka ndërruar jetë në moment”, u shpreh ai.