Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi ka thënë se Partia Demokratike është gati për zgjedhjet e pjesshme vendore. Këtë deklaratë Bardhi e ka dha para se të hynte në seli për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar. Gazetarja e Top Channel Elda Menga e pyeti nëse janë gati për zgjedhje të pjesshme vendore ndërsa Bardhi u përgjigj: “Kemi qenë gjithmonë dhe jemi gati”. Ndërkohë ditën e djeshme, presidenti Ilir Meta doli në konferencë për mediat dhe tha se ka nisur procedurat për shpalljen e datës së zgjedhjeve vendore në ato bashki që nuk ka kryetar. Meta justifikoi vonesën e shpalljes së zgjedhjeve të pjesshme me pritjen e një vendimi nga Kushtetuesja, ndërsa bëri të ditur nisjen menjëherë të procedurave duke i dërguar një letër KQZ-së, ku i kërkon informacion zyrtar për vakancat në pushtetin vendor. Zgjedhjet pritet të prekin 6 bashki, ku kryetarët kanë humbur mandatin për shkaqe të ndryshme.