Nis sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor, ai ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngriturat nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.