Punonjësit e institucioneve publike në Kosovë të cilët janë në grevë që nga 25 gushti, ende nuk e dijnë se kur do t`i marrin pagat. Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion. Ndërsa, zyrtarë në Thesarin e Kosovës thonë se janë në pritje të konfirmimit të listave të pagave. Nysret Koca, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për kontabilitet, raportim dhe monitorim në Thesarin e Kosovës, tha për REL se nuk i ka mbërritur ndonjë konfirmim të listave nga organizatat buxhetore për ekzekutimin e pagave. “Jemi në pritje”, u shpreh ai.