Punimet vijojnë me ritme intensive në segmentin e mbyllur të autostradës Joniane, ku rrëshqitjet masive të dheut dhe gurëve prej fundit te janarit , kanë bllokuar të dy drejtimet e qarkullimit. Ekskavatorët, duke punuar nga maja e shpatit, po e ndajnë malin në nivele dhe po largojnë mijëra metra kub materialesh që kanë mbuluar rrugën. Rrëshqitja e madhe e dheut në këtë segment u shkaktua pas një periudhe me reshje intensive dhe të vazhdueshme shiu në zonë. Masat e ujit ngopën terrenin, duke destabilizuar shpatin dhe duke sjellë shembjen e mijëra metrave kub dheu dhe shkëmbinjsh mbi rrugë, fakt që detyroi autoritetet të mbyllnin menjëherë qarkullimin për arsye sigurie.