Gjuetia e paligjshme me dinamit përgjatë vijës bregdetare të Vlorës, përfshirë zonën e Karaburunit madje dhe ishullin e Sazanit, vijon të mbetet një shqetësim serioz për administratën e zonave të mbrojtura dhe për policinë kufitare. Pavarësisht rasteve kur persona të papërgjegjshëm janë ndëshkuar nga autoritetet, kjo praktikë e paligjshme vazhdon të shfaqet në zona të ndryshme të bregdetit. Vetëm dy ditë më parë, një fokë është gjetur e ngordhur në bregdetin e Pashalimanit. Dyshohet se ngordhja e saj mund të jetë shkaktuar nga shpërthimet me dinamit në det, një metodë e ndaluar që përdoret për kapjen e peshkut. Për specialistët e administratës së zonave të mbrojtura, përdorimi i dinamitit në det përbën një akt kriminal ndaj natyrës.