Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 kërkuan të zgjidhet sa më shpejt çështja me ngushticën e Hormuzit, pikës strategjike të kalimit të naftës, që vijon e bllokuar që prej nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, në fund të muajit shkurt, duke krijuar kolaps në tregjet botërore. Ministrat e më shumë se 30 vendeve, ku u bashkua edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u mblodhën të premten në një takim të rëndësishëm diplomatik në Paris, me synim nxitjen e uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme, por edhe në Ukrainë. Mesazhi më i fortë në takimin e nivelit të lartë u dha nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, e cila bëri thirrje për një “zgjidhje të shpejtë” të konfliktit, duke shtuar se Irani nuk mund të mbajë peng ekonominë globale, duke bllokuar Ngushticën e Hormuzit. Po ashtu, edhe ministri i Jashtëm i Francës tha se G7 mbetet jashtëzakonisht e përkushtuar për të minimizuar ndikimin e luftës. “Grupi, një organizatë e shtatë ekonomive më të mëdha në botë, bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të sulmeve”, tha ministri francez. Ai ripërsëriti përpjekjet e G7-ës për të siguruar lëvizjen e lirë dhe të sigurt të anijeve në Hormuz. Në takimin e G7-ës, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se lufta ndaj Iranit do të zgjasë edhe pak javë. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara pritet t’i japin fund operacionit brenda javësh, dhe jo muajsh. Rubio ka rënë dakord të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje për hapjen e ngushticës së Hormuzit. Nga ana e tij, Presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi të shtyjë me 10 ditë sulmet ndaj centraleve energjetike të Iranit, ndërsa theksoi se negociatat mes palëve po vazhdojnë për t’i dhënë fund luftës. Por, vendimi i Trump nuk i ndali sulmet, pasi e premtja shënoi bombardime të reja nga të dyja palët.