Në sheshin “Skënderbej” të mbushur plot me qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, u zhvillua sot ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit kombëtar, duke shënuar 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Atmosfera festive, e ngjyrosur nga emocionet dhe krenaria kombëtare, u ngrit në lartësi me tingujt e Himnit Kombëtar, i interpretuar nga Banda Frymore. Flamuri kuqezi u valëvit krenar mbi sheshin ikonik të kryeqytetit, ndërsa të pranishëm ishin kryetarë bashkish nga të gjitha trevat shqiptare, së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.