Në fshatin Drithas të Maliqit, aty ku drithi ka qenë gjithmonë mjet jetese, si çdo vit, në mes të gushtit, banorët i kthehen një tradite, festës së bukës së re. Është një moment kur tokës i jepet mirënjohja e parë pas sezonit të korrjes, dhe buka e sapo pjekur bëhet simbol i festës. Emigrantë të kthyer për pushime, banorë të zonës dhe vizitorë nga fshatrat fqinj bashkohen në këtë festë, ku gërshetohet e vjetra me të renë.