Mijëra traktorë janë tashmë të rreshtuar në pika nevralgjike të rrjetit rrugor në Greqi, duke bllokuar autostrada kombëtare, pika doganore dhe akse hyrëse drejt qyteteve të mëdha . Fermerët grekë vazhdojnë të qëndrojnë të vendosur në rrugë, duke paralajmëruar përshkallëzim të protestave të tyre deri në festat e fundvitit. Bllokadat janë shtuar sot në disa rajone të vendit. Në Malgara, në Maqedoninë Qendrore, fermerët mbyllën të dyja drejtimet e autostradës, ndërsa në Magnesia ngritën bllokada të reja në Mikrothiva. Në Etoloakarnani, u ndërpre qarkullimi në Ionia Odos, e cila qëndron e mbyllur plotësisht për automjetet, me lëvizje të kufizuar vetëm për raste urgjence.