Deti ka përparuar në zonën bregdetare në veri të qytetit të Durrësit, duke shkaktuar dëmtime në argjinaturën e rrugës që lidh hidrovorin me Bishtin e Pallës. Pas dallgëve të forta të ditëve të fundit, gurët mbrojtës janë zhvendosur, ndërsa segmenti rrugor paraqet rrezik për dëmtime të mëtejshme. Fenomeni i erozionit në zonën e Porto Romanos e më tej ka qenë i vazhdueshëm ndër vite, por episodet e fundit e kanë përshpejtuar procesin gërryes. Këto ditë, ndërmarrja Rruga ka kryer ndërhyrje emergjente me hedhje gurësh për të siguruar qëndrueshmërinë dhe qarkullimin në rrugë.