Andriy Portnov, këshilltar i ish-presidentit prorus të Ukrainës, Viktor Yanukovych, u vra me armë zjarri të mërkurën në periferi të kryeqytetit spanjoll, Madrid, pak pasi kishte dërguar fëmijët e tij në shkollë. Autoritetet spanjolle konfirmuan vrasjen e 51-vjeçarit rreth orës 09:15, ndërsa sipas dëshmitarëve, Portnov u qëllua “disa herë” në kokë dhe trup nga më shumë se një person, teksa po hynte në makinën e tij, Mercedes Benz i zi. Sipas policisë spanjolle, sulmuesit u larguan në këmbë menjëherë pas ngjarjes. Shërbimet emergjente të Madridit thanë se ai u gjet i vdekur kur mbërritën mjekët, dhe se kishte të paktën tre plumba në trup.