Trafiku në Elbasan është kthyer në një makth të përjavshëm për qytetarët, veçanërisht të dielave pasdite, kur mijëra automjete rikthehen nga fundjava drejt Tiranës apo Durrësit. Për të përshkuar vetëm 6-7 kilometra të unazës së qytetit, drejtuesve u duhen deri në 2 orë, për shkak të trafikut të rënduar dhe mungesës së menaxhimit efikas. Situata bëhet edhe më kaotike nga sjelljet e papërgjegjshme të disa shoferëve, të cilët, për shkak të padurimit, kryejnë parakalime të gabuara dhe bllokojnë rrugët dytësore, duke e bërë thuajse të pamundur qarkullimin.