Punonjësit aziatikë duket se janë futur në listën e zezë të Ministrisë së Jashtme, e cila iu refuzon vizat për të qëndruar e për të punuar në Shqipëri. Edhe pse nuk ka një urdhër të publikuar zyrtarisht, të huajt nga Bangladeshi, Nepali, Sri Lanka apo India nuk janë më të mirëpritur ligjërisht për të punuar në vendin tonë. Precedentët e krijuar nga personat e rekrutuar më herët të cilët e përdornin Shqipërinë si trampolinë për t’u larguar drejt Europës dhe braktisnin befas vendin e punës, jo vetëm që nuk zgjidhën krizën e punësimit këtu për shkak të emigracionit, por ndikuan edhe në komente negative për vendin e shqiponjave duke u bërë faktor pengues për të gjithë këtë etnitet.