Udhëheqësi i ri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, i shpëtoi vdekjes për pak sekonda më 28 shkurt, kur sulmi ajror që vrau të atin, Ali Khamenei, dhe zyrtarë të tjerë të lartë goditi rezidencën e familjes në Teheran, sipas një audioje të publikuar nga e përditëshmja britanike “The Telegraph”. Zërat e regjistruar, të verifikuar në mënyrë të pavarur, tregojnë se Mojtaba kishte dalë në kopësht për të ecur pak para se raketa izraelite të godiste kompleksin. Fillimisht u tha se ai mori vetëm një lëndim të lehtë në këmbë, ndërsa gruaja dhe djali i tij u vranë menjëherë nga shpërthimi. Sulmet goditën edhe pjesë të tjera të kompleksit, duke përfshirë rezidencën e disa anëtarëve të familjes dhe zyrtarëve ushtarakë. Por që nga zgjedhja e tij si udhëheqës suprem më 8 mars, Mojtaba nuk është paraqitur publikisht, një fakt që ka nxitur spekulime të shumta rreth gjendjes së tij. Në Shtetet e Bashkuara kanë qarkulluar edhe pretendime nga mediat, ende të pakonfirmuara, se inteligjenca amerikane e ka informuar presidentin Donald Trump se Mojtaba mund të jetë homoseksual dhe se kjo mund të jetë një nga arsyet pse të atit të tij nuk i pëlqente ideja e pasimit të pushtetit te ai.