“Dyfisho ndërmarrjen tënde” është programi më i ri, për të cilin aktualisht po punohet nga qeveria për t’u ardhur në ndihmë sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre, por ndodhen në kushte pamundësie financiare për të ndërmarrë këtë hap. Këtë projekt në përgatitje e sipër, Kryeministri e ndau në episodin e kësaj të diele të Podkastit “Flasim” të titulluar “S’ka si Shqipëria” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kompanive shqiptare me emër të konsoliduar tashmë në treg dhe të shtrira në vende të tjera të cilat ofrojnë modele të reja zhvillimi si shembuj të prekshëm të transformimit pozitiv, sipërmarrjet e të cilëve në thelb kanë një të përbashkët, mirëqenien dhe shëndetin e njeriut, konkretisht: Nerta Tushe biologe, sipërmarrja e së cilës vepron në fushën e kozmetikës, Argjent Goci që ka sjellë në Shqipëri makinat e para elektrike dhe Marjus Myzeqari, i cili merret me kërkim shkencor mbi konceptin ku shëndeti i njeriut nuk mund të ndahet nga shëndeti i natyrës.