Moti në Europë është luhatur mes temperaturave jashtëzakonisht të ulëta për pranverën dhe një verë të nxehtë rekord vitin e kaluar, me temperature përvëluese por edhe reshje të mëdha shiu, teksa zjarret në rajonin e Mesdheut shkrumbuan sipërfaqe toke me madhësinë e Qipros. Këto janë përfundimet e raportit të pestë europian për situatën klimatike, të publikuar të premten, i cili del në përfundimin se vera e vitit 2021 ishte 1 gradë Celsius më e nxehtë se mesatarja e viteve 1991-2020.