Kryeqyteti amerikan Uashington është bërë gati për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, që do të zhvillohet të hënën e 20 janarit. Për shkak të temperaturave tejet të ulëta, ceremonia e inaugurimit u zhvendos në ambiente të brendshme të Kapitolit. Siguria në Uashington është rritur, ndërsa përgatitjet për ceremoninë e inaugurimit të Trump po shkojnë drejt fundit. Presidenti i zgjedhur fluturoi nga Palm Beach i Floridës të shtunën drejt Uashingtonit, me një avion të Forcave Ajrore amerikane. Ai tha se në fjalimin e tij të inaugurimit do të bënte thirrje për unitet, forcë dhe drejtësi.