Qindra besimtarë kanë kremtuar të Premten e Zezë e cila simbolizon edhe vdekjen e Krishtit në Kryq. Shumë qytetarë kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e Epitafit që është zhvilluar në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” të Tiranës. Prani e madhe e besimtarëve është vënë re edhe në rrugën kryesore, jashtë Katedrales. Në Korçë, ashtu siç është tradita, qindra besimtarë të besimeve të ndryshme i janë bashkuar ceremonisë që zhvillohet në simbolikë të kësaj dite ku kanë ndjekur kortezhin në bulevardet kryesore të qytetit. Nën sfondin e një muzike funebre aktiviteteve u ka paraprirë mbajtja e meshës. Mandej besimtarët kanë ndjekur edhe ritualin e përvitshëm, kalimin nën epitaf ndërsa janë lutur për më shumë paqe dhe dashuri. Në Vlorë Epitafi, i mbajtur nga klerikët dhe i shoqëruar nga besimtarë të shumtë, u përcoll me solemnitet, ndërsa policia ishte e pranishme për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve. Ceremonia e nderimit te Epitafit ne Elbasan u drejtua nga Mitropoliti Andon Merdani. Besimtaret ortodoksë u nisen nga Kisha e Shën Kollit për të vijuar ne bulevardin kryesor te qytetit Besimtarë ortodoksë në Durrës i zhvilluan ritet në kishën ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, ku besimtarët ndoqën meshën dhe ceremonitë përkujtimore. Në Gjirokastër ceremonia e Epitafit është mbajtur në Katedralen Ngjallja e Krishtit, duke mbledhur besimtarë të shumtë në një nga momentet më të rëndësishme të festimeve të Pashkëve Ortodokse. Edhe Fier qindra besimtarë ortodoksë kanë ndjekur, procesionin e epitafit. Ceremonisë simbolike i kanë paraprirë tingujt e Bandës Frymore.