Tirana është kandidate për të qenë vendi organizator i Kampionatit Botëror të Peshëngritjes në vitin 2024. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti ditën e sotme Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Botërore të Peshëngritjes, Antonio Urso, i cili dha edhe lajmin e mirë për vendin tonë. Kryebashkiaku vlerësoi angazhimin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, e cila fill pas kampionatit të të rinjve, që do të zhvillohet në mars të këtij viti në Durrës, po shqyrton edhe mundësinë e zhvillimit të kampionatit të të rriturve vitin e ardhshëm në Tiranë.