Situata është problematike në aksin Librazhd–Pogradec, ku Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur ndalimin e qarkullimit për mjetet me tonazh të rëndë dhe autobusët, pas përkeqësimit të rrëshqitjes së dheut në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”. Gjatë orëve të fundit shembja ka avancuar, duke rritur rrezikun për qarkullimin në këtë segment. Mjetet e rënda, kamionët dhe autobusët nuk do të lejohen të kalojnë në këtë zonë. Vendimi është marrë në koordinim me Policinë e Shtetit dhe do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë. Top Channel ka siguruar pamjet e disa ditëve më parë të gërryerjes masive që ndodhi nga marrja e inerteve nga shtrati i lumit Shkumbin, pikërisht në vendin ku ka ndodhur rrëshqitja dhe shembja e njërës korsi të rrugës.