Mesdheu po digjet nga vapa dhe flakët, ku vala ekstreme e të nxehtit ka marrë edhe jetë njerëzish. Spanja po përjeton ditë tmerri nga zjarret, që e çuan në shtatë numrin e viktimave, ndërsa janë djegur më shumë se 1.5 milionë hektarë me tokë, pyje, bimësi e pemëtari. Kushtet janë të pafavorshme, me të nxehtin afrikan apo siç quhet ndryshe ‘ferri saharian’, që nuk ishte përjetuar në 20 vite. "Në pjesën perëndimore të vendit situata është jashtëzakonisht shqetësuese", tha kreu i shërbimit të emergjencave, ndërsa paralajmëroi të tjera ditë të vështira për zjarrfikësit. Në Galicia, një front i madh zjarri ka çuar në mbylljen e autostradave dhe linjave të trenave në rajon. Agjencia kombëtare meteorologjike në Spanjë ka lëshuar një paralajmërim ekstrem për rrezik zjarri për veriun dhe perëndimin e vendit, me temperatura që parashikohet të vijojnë në vlerën e 40 gradë celsius. Zjarrfikësit po luftojnë për të shuar zjarret në të gjithë Evropën Jugore, me flakët e nxitura nga një valë e zgjatur e të nxehtësisë që prek rajonin.