Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtuan në mesnatë ngjalljen e Krishtit, në meshën e pashkëve, dita më e rëndësishme për ta në kalendarin festiv. Në festën e pashkës, besimtarët kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit te zoti, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati. Besimtarë të shumtë u mblodhën në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në kryeqytet, ku ndoqën nga afër meshën, mes lutjeve për më shumë dashuri e paqe mes njerëzve, në një kohë konfliktesh e luftërash në botë. Mesha u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani. Pas kryerjes së ritualeve dhe pas leximit të psalmeve, besimtarët kënduan “Krishti u ngjall”.