Stefo Lazo është bakërpunuesi i fundit i gjeneratës së repartit të bakrit dhe i punishteve të artizanatit që u krijuan në rrethin e Gjirokastrës rreth viteve ’60. Ai ende mban të hapur një punishte të vogël në fshatin Vrisera në Dropull. Dikur godina strehonte të paktën 4-5 mjeshtëri të artizanatit që nga lëkurëpunuesit, rrobaqepësit e këpucarët. Me rënien e sistemit mjeshtërit u larguan dhe shumica e ushtruan profesionin në emigracion, por Stefo Lazo qëndroi në fshat për t’i shërbyer porosive që lidhen me enët e bakrit.