Kosova është anëtari më i ri i Asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Vendimi është marrë nga Komisioni i Përhershëm i Asamblesë pas diskutimeve të bëra nga Byroja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s me mbështetjen e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Pjesëmarrëse në mbledhjen e Komisionit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku u votua kërkesa e Kuvendit të Kosovës për pranimin si anëtar i Asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO ishte edhe Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit, Mimi Kodheli, njëherazi kryetare e Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të NATO, e cila dha gjithashtu mbështetjen e saj për Kosovën.