Shqipëria mund të jetë në shënjestër të sulmeve nga Irani. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë njoftoi se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë objektiva të caktuara në vendin tonë. Në njoftimin e shpërndarë në faqen zyrtare, shoqëruar me shënimin “alarm sigurie”, ambasada amerikane në Tiranë thekson se shënjestër e sulmeve nga Teherani mund të mos jenë vetëm muxhahedinët, që strehohen në Shqipëri, por edhe hapësirat publike në vend. Ndaj bën thirrje për kujdes të shtuar nga ana e qytetarëve amerikanë, që jetojnë në Shqipëri. “Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”. Ambasada e SHBA në Shqipëri