Program i ri pas shkolle bashkë me ushqimin e mundësuar në ambjentet mësimore, pritet të nisë si një projekt pilot në 30 institucione arsimore në kryeqytet vitin e ardhshëm shkollor. Top Channel ka siguruar ekskluzivisht listën e shkollave 9 vjeçare që planifikohet të testohet programi passhkollor I quajtur “Afterschool”, ku përfshihen shkollat e qendrës në Tiranë si “Emin Duraku”, “Konferenca e Pezës”, “Sabaudin Gabrani”, por projekti shtrihet edhe në periferi si në shkollën “Pal Engjëlli” apo “Ibrahim Brahja”. Përfituesit do të jenë vetëm nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë dhe synon të ofrojë një mbështetje të shtuar arsimore për familjet pas përfundimit të mësimit zyrtar, duke zgjatur orarin e qëndrimit të fëmijëve në hapësirat shkollore. Shkollat e përzgjedhura janë kryesisht mbi bazën e rikonstruksionit dhe plotësimit të kushteve për ofrimin e ushqyerjes brenda godinave arsimore. Prindërve ju është dhënë një formular për shprehjen e pëlqimit ose jo të projektit. Në formularin e siguruar nga Top Channel ata pyeten nëse janë dakord që fëmijët të konsumojnë drekën falas të mbuluar me fondet e pushtetit lokal dhe të qëndrojnë në shkollë deri në orën 16:00. Në varësi të numrit të lejeve të dhëna nga familjarët, do të vendoset përfundimisht nëse shkolla do të jetë në listën përfundimtare.