Të hënën, një vajzë 13-vjeçare nga Polonia u rrëmbye nga dallgët e detit në Maltë, teksa ndodhej me pushime së bashku me familjen e saj. Mediat e huaja raportojnë se trupi i pajetë i 13-vjeçares u gjet këtë të mërkurë në mëngjes, pas tre ditësh kërkimesh intensive, nga zhytësit e Mbrojtjes Civile. Sipas raportimeve, një dallgë e fuqishme e tërhoqi vajzën në det, ndërsa babai dhe vëllai i saj u përplasën pas murit mbrojtës. Babai mbeti i lënduar gjatë përpjekjeve për ta shpëtuar të bijën. Menjëherë pas incidentit, autoritetet malteze nisën një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan forcat e ushtrisë, mbrojtja civile dhe policia. Autoritetet kanë nisur një hetim për rrethanat e ngjarjes, ndërsa familjes po i ofrohet ndihmë psikologjike. Ndërkohë, institucionet malteze u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të shmangin zonat e rrezikshme bregdetare gjatë motit të keq dhe detit të trazuar.