Me lëndime të rënda trupore, i keq ushqyer dhe me vështirësi në komunikim, një fëmijë pesë vjeçar është pranuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë në Prishtinë. Për gjendjen e rënduar të pesë vjeçarit, dyshohet se prindërit e tij janë shkaktarët. Nga burime jozyrtare, mësohet se dëmtimet në këmbë, fëmijës ia ka shkaktuar e ëma, që krahas kësaj e ka mbajtur edhe në kushte të rënda. Për shkak të dyshimeve që pesë vjeçari vuan nga gangrena në shputa, të mërkurën i është nënshtruar intervenimit kirurgjik. Shërbimi Spitalor i Kosovës, vetëm ka njoftuar se pas operimit, fëmija është në gjendje stabile shëndetësore.