90 minuta për një ëndërr të madhe! Sytë e shqiptarëve do të jenë të përqëndruar në Poloni, aty ku kombëtarja jonë luan gjysmëfinalen e play offit për tu kualifikuar për botëror, ditën e enjte, prej orës 20:45. Të besuarit e trajnerit Silvinjo zhvilluan një faze shumë të mire grupesh, duke arritur vendin e dytë që të con në play off. Vetëm Anglia para nesh, ndërsa lame pas Serbinë, Letoninë dhe Andorën. E paharrueshme fitorja në Serbi me gol të Rey Manajt. Megjithatë, nesër është një tjetër sfidë që duhet kaluar. Polonia nuk është një kundërshtar i panjohur për ne, pasi ishim në të njëjtin grup në kualifikueset e Europianit 2024. Një fitore për polakët në shtëpi, ndërsa në “Air Albania”, fituam 2-0 me golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut. U kualifikuam si të parët e grupit, duke shkuar në Europian për here të dytë. Megjithatë, situatat kanë ndryshuar, pasi Polonia momentalisht është një kombëtare më në formë se sa ishte dy vite më pare kur kishte përcarje të mëdha dhe brenda ekipit. Sulmuesi Robert Lewandowski mbetet ylli i ekipit. Shqipëria ka patur goxha probleme me aktivizimin e lojtarëve, pasi futbollistë si Hysaj, Bajrami, Broja, Hoxha dhe Asani kanë patur shumë pak minuta. Manaj dhe Daku janë të dëmtuar. Mucci rikthehet si futbollisti më në formë I Shqipërisë së bashku me Ansi Mehmetin, por gjasat që ta nisin si titullarë janë të vogla. Shqipëria nëse kalon Poloninë, atëherë do të ketë dhe një finale tjetër me fituesin e ciftit, Ukrainë-Suedi. Në kushte më të favorshme duket Kosova, që luan po ashtu gjysmëfinalen e play off-it kundër Sllovakisë jashtë fushe dhe nëse arrin suksesin e madh, do të luajë me fituesen e ciftit Turqi-Rumani. A do tia dalin kombëtarja dhe përfaqësuesja të realizojmë ëndrrën e madhe të botërorit?