Në Talë të Lezhës, të shtunën, u gjet i vrarë 57-vjeçari Pjetër Kaza; në Tiranë, në mes të një picerie, një 15-vjeçar mbeti i plagosur nga arma e zjarrit; ndërsa në Durrës, një turist humbi jetën pasi ra nga një Jet Ski që po drejtonte. Këto janë vetëm disa nga ngjarjet e rënda të ndodhura brenda pak ditësh, ku lista e krimeve nuk ndalet te vrasjet, por përfshin edhe episode me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë. Në Lezhë, vrasja e Pjetër Kazës duket se është pjesë e një sagë hakmarrjeje mes dy fiseve, një zinxhir dhune që zgjat prej vitesh dhe që i ka shpëtuar kontrollit të organeve të drejtësisë. Viktima është personi i pestë në këtë seri përplasjesh mes familjeve Kaza dhe Gjini. Policia ka shpallur në kërkim një të dyshuar, por ende nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për një akt gjakmarrjeje apo për një vrasës me pagesë. Rasti nxjerr në pah një plagë të vjetër, që vijon të prodhojë viktima edhe në vitin 2025. Në Tiranë, ngjarja e ndodhur në një piceri në zonën e “Ali Demi”, ku një 15-vjeçar u plagos me armë zjarri gjatë punës në Piceri nga një koleg i tij, ka shtuar frikën për një ripërsëritje të asaj që ka ndodhur pak muaj më parë me vrasjen e një 14 vjeccari në shkollën Fan Noli.