Altin Dumani po i afrohet fundit të mandatit si drejtues i SPAK në dhjetor, një periudhë që politika e kishte lexuar si fillimin e goditjeve të tjera ndaj emrave me peshë në qeveri. Sesioni i ri parlamentar për demokratët nisi me akuzat ndaj Edi Ramës për çështjen e zgjedhjeve, por vëmendja u përqendrua shpejt te numri dy i kabinetit, Belinda Balluku. Opozita pretendoi se kishte informacion se SPAK kishte firmosur marrjen e saj si të pandehur për tunelin e Llogarasë dhe se prokurori që po hetonte çështjen ishte nën presion. Në dalje publike, Dumani nuk i mohoi hetimet përkundrazi, pranoi se procedurat janë “në zhvillim”, duke lënë të hapur çdo skenar mbi vijimin e akuzave. Kjo deklaratë mjaftoi që tensioni politik të rritet edhe më tej. Balluku u paraqit në SPAK më 31 tetor, ku mori zyrtarisht njoftimin e akuzës për procedurat e tunelit. Që prej asaj dite, demokratët këmbëngulin se ajo duhet të largohet nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës. Pas disa muajsh pauzë, opozita u rikthye sot në protestë duke kërkuar dorëheqjen e Ballukut dhe Ramës, si edhe krijimin e një qeverie teknike. Në këtë moment pyetja që shtrohet lidhet me faktin nëse po shfrytëzohet hetimi për të goditur Kryeministrin, apo protestat po zhvendosin qëllimisht fokusin nga fillimi i krizës? A po e kthen opozita Ramën në qendër për avantazhin e vet? Dhe mbetet pa përgjigje pyetja më e rëndesishme: kush prej të dyve do ta nxjerrë Ramën dhe PS-në nga kjo situatë ajo, duke hapur rrugën, apo ai, duke marrë një vendim që mbron vetë pushtetin e tij?