Donald Trump e quajti Bordin e Paqes si një arritje të tij në krye të presidencës amerikane. Ai dha përgjigje dhe për shtetet evropiane që refuzuan të bëhen anëtare me argumentin se uzurpon pushtetin e OKB-së. Për Trump do të ketë bashkëounim me Kombet e Bashkuara. "Sot është një nder i madh që ju mirëpres në Institutin e Paqes. Është bordi më i fuqishëm, këtu bën pjesë pjesa më e madhe e liderëve botërorë. Disa po bëjnë naze, por shumë drejtues e kanë pranuar menjëherë. Ka disa që nuk duam t’i kemi. Mendoj se Kombet e Bashkuara kanë potencial të madh, potencial vërtet të madh. Bordi i Paqes pothuajse do të mbikëqyrë Kombet e Bashkuara dhe do të sigurohet që ato të funksionojnë siç duhet”, tha ai. Trump vuri theksin tek paqja duke u shprehur se kostoja e luftës, ku bëri të ditur se aktualisht janë mbledhur 17 miliardë dollarë për Gazën, dhjetë prej të cilave vetëm SHBA. "Kemi punuar së bashku për të siguruar një të ardhme më të mirë për popullin e Gazës. Shumë vende të botës janë treguar bujare me kontributet e tyre, dhe SHBA ka qenë jashtëzakonisht bujare. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se paqja" vijoi ai. Çarmatimi i Hamasit dhe dhënia fund e programit bërthamor të Iranit ishin prioritetet e presidentit amerikan në kuadër të Bordit. “Të gjithë kemi një vizion për t’i dhënë fund ekstremizmit dhe terrorit. Edhe ata që kanë predikuar ekstremizmin duan paqe. Është koha që Irani të bashkohet me ne dhe të përfundojë atë që po bën. Ai nuk mund të vazhdojë të kërcënojë stabilitetin në të gjithë rajonin. Me angazhimin që ka bërë sot, Bordi i Paqes ka treguar se jep zgjidhje: më pak fjalë, më shumë veprim, sepse mund të flasim shumë për paqen, por nuk bëjmë shumë", u shpreh Trump. A do të arrijë Trump të shuajë konflikte të armatosura në botë përmes Bordit të Paqes, apo do të ndezë konflikte diplomatike?