SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut! Një kërkesë e tillë ka kthyer në nul lojën politike të qeverisë nëpërmjet vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për të mbajtur në detyrë zv.kryeministren. Lajmin që vërtitej në ajër prej javësh tashmë ka marrë formë zyrtare, pasi Prokuroria e Posacme i ka kërkuar zyrtarisht parlamentit heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun! Në shkresën e firmosur nga Altin Dumani, i cili e mbyll mandatin me një goditje shumë të fortë, kërkohet zëvendësimi i masës nga ajo e ndalimit të daljes jashtë vendit dhe pezullimit nga detyra në heqje lirie, pra arrestim. Niko Peleshi, në pozicionin e të parit të parlamentit ka pranuar kërkesën e Dumanit. Kreu i kuvendit ka njoftuar Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet i cili do të mblidhet 19 dhjetor 2025, në orën 10:30 për të diskutuar në lidhje me kërkesën. Qeveria fitoi betejën e parë në Gjykatën Kushtetuese që mori në shqyrtim çështjen e pezullimit nga detyra dhe riktheu në detyrë Ballukun. Prokurorët e SPAK, duke parë manovra të tilla, kanë shtuar akuzat për zv.kryeministren dhe kërkojnë dënimin me burg. Ajo është marrë nën hetim dhe për lotin 4, 5, 6, 7 të Unazës së jashtme të Tiranës dhe për 3 segmente të tjera rrugore përveç tunelit të llogarisë që ishte nën hetim. Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimmarrjen e SPAK nëpërmjet platformës X. Po ashtu, nuk u kursye as kreu i PD, Sali Berisha, i cili akuzoi Ramën se mbronte Ballukun.