Në fshatin Aliaj, në Malësia e Madhe, një familje me pesë anëtarë po përballet me një realitet të dhimbshëm. Tre prej tyre ,një vëlla dhe dy motra, vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, të cilat, sipas familjarëve, nisën papritur brenda një nate, rreth 30 vite më parë. Që nga ajo kohë, jeta e tyre ka ndryshuar përgjithmonë. Sot, dy vëllezërit e tjerë përpiqen të mbajnë familjen, duke u kujdesur për të sëmurët dhe duke përballuar kushte tepër të vështira jetese. Ata jetojnë në një shtëpi të amortizuar, pa ujë të rrjedhshëm, me çati që pikon dhe mure që rrezikojnë të shemben.Ndihma e vetme ka ardhur nga fqinjët dhe emigrantët, të cilët kanë kontribuar financiarisht, por kjo nuk mjafton për të ndërtuar një shtëpi të re.