Zgjedhja e Endri Shabanit si avokat i popullit me nënshkrimet e deputetëve të Partisë Demokratike dhe votat e Partisë Socialiste ka shkaktuar tërmet në partinë më të madhe opozitare. Qëndrimi i lidershipit të PD është vendosur seriozisht në dyshim nga ana e simpatizantëve të djathtë. Sali Berisha, si rrallëherë në karrierën e tij kërkoi publikisht falje, duke pranuan gabimin në lidhje me firmat ndaj Shabanit. Diçka e tillë ndodhi, pasi bluve u ranë të gjitha alibitë. Fillimisht u tha se firmat ishin premtuar për mbështetjen e Florian Binajt, gjë që nuk ishte e vërtetë, pasi firmat e PD ishin më të vona se vendimi i Kushtetueses për shtyrjen e zgjedhjeve. Kryesia e PD më pas akuzoi Ervin Salianjin si personin që ka influencuar dhe ka ndikuar në vendimmarrjen e deputetëve që firmosën, mes tyre dhe Klevis Balliut që ka patur përplasje shumë të ashpra me Endri Shabanin. PD pati një mbledhje kryesie me 13 dhjetor ku për herë të parë u përballën Berisha dhe të besuarit e tij dhe Ervin Salianji që ka nisur nismën e foltoreve. Sipas raportimeve mediatike, debatet kanë qenë me tone të forta ndërmjet këtij të fundit dhe Flamur Nokës, duke i kërkuar dorëheqjen në sy. Beslim Ahmetaj po ashtu akuzoi Nokën për dështim. Berisha u përfshi në debat duke akuzuar Hysen Kadiun, më të votuarin e primareve në Tiranë, që nuk ka punuar për partinë në fushatë. Situata ndërmjet demokratëve nuk është aspak e qetë. Kjo shihet qartë dhe nga deklaratat e palëve. I vetmi që mbajti përgjegjësi është Agron Gjekmarkaj që ofroi dorëheqjen si nënkryetar, por ende të papranuar nga baza. Sot PD vazhdoi me foltoren e radhës përpara kryeministrisë.