Në shtator të vitit 2010, një emision televiziv i hapi rrugë turizmit malor në Shqipëri. Grupi I Xhirimit I programit historik “Shqip” në Top Channel, u nis drejt Thethit, një nga zonat më të izoluara dhe të panjohura të Shqipërisë në atë kohë. Me një terren të vështirë dhe pa infrastrukturën bazë, si rrugë të kalueshme apo furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, Thethi ishte një destinacion thuajse i paarritshëm. E megjithatë, ky vend i largët u bë skena e një prej emisioneve të para televizive që i kushtohej turizmit në veri të vendit. Emisioni u realizua në kuadër të ciklit "Turizmi në Shqipëri", dhe u konceptua e xhirua me shumë përkushtim nga autorja dhe gazetarja Rudina Xhunga, së bashku me ekipin e saj. Pavarësisht sfidave logjistike, ekipi arriti të mbërrijë në Theth dhe të sjellë në ekran këtë vend të jashtëzakonshëm, duke kontribuar realisht në promovimin e tij si një destinacion turistik natyror. Top Channel që prodhoi dhe transmetoi këtë program ishte i pari që i kushtoi orë të tëra transmetimi turizmit shqiptar, me fokus të veçantë në turizmin malor. Thethi u bë një pjesë thelbësore e këtij cikli, duke sjellë për publikun historitë, peizazhet dhe njerëzit e zakonshëm që kishin një vizion të pazakontë: të shndërronin fshatin e tyre të izoluar në një pikë të rëndësishme turistike për vendin. Emisioni u realizuan në zemër të fshatit, në oborrin e kishës së Thethit, të rrethuar nga vetëm dy shtëpi dhe një natyrë që të linte pa frymë. Ishte një punë e vështirë, por thelbësore për të dëshmuar vlerat e kësaj zone që sot njihet si një nga atraksionet më të rëndësishme të turizmit natyror në Shqipëri. Siç tha edhe gazetarja Rudina Xhunga në përmbyllje të programit: "Miqtë e mirë bëhen në shtëpinë tënde." — dhe Thethi u bë pikërisht nepermjet kësaj filozofie: “një shtëpi e hapur për të gjithë ata që duan të zbulojnë Shqipërinë e vërtetë, përmes mikpritjes, natyrës dhe shpirtit të njerëzve të saj”. Sot, mbi një dekadë më pas, është e rëndësishme të kujtojmë Thethin e vitit 2010 — një vend që ruan ende autenticitetin dhe forcën për të frymëzuar.