Emisioni “Kush e Ngriti Flamurin” është transmetuar për herë të parë në vitin 2012 prezantuar nga gazetarja Monika Stafa. Ky është një prodhim i krijuar në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë e synon të risjellë në vëmendje të publikut ata shqiptarë që me punën e tyre, kanë nderuar emrin e Shqipërisë. Në mënyrë simbolike ata janë quajtur flamurtarët e Shqipërisë, duke huazuar idenë e ceremonisë në olimpiada, ku kampionët ngrenë lart flamurin e vendit të tyre. Te ftuarit janë nga të gjitha fushat: sport, art, kulturë, spektakël, modë, fusha e letrave, shkencë e politikë. Në 100 vjet shtet Top Channel nderon ata që ngritën lart emrin e Shqipërisë kudo në botë. Në këtë program ndahen me publikun kujtimet e tyre në ditët më emocionale të jetës së tyre, kur janë nderuar me çmime e janë ngjitur në podiume dhe himni shqiptar është luajtur për ata dhe për Shqipërinë. Ky prodhim na mundëson të njohim më shumë për jetën e tyre para dhe pas ngjarjes. Gjithashtu të ftuarit zbulojnë pasionet e pengjet në jetën e tyre. E ftuar në emisionin e datës 25 Nëntor 2012 është sopranoja e famshme Inva Mula. Karriera e suksesshme si soprano në botë e ka bërë atë ndër promovueset më të shquara të shqiptarëve që kanë karrierë në arenat nderkombëtare. Inva Mula në këtë rrëfim tregon për vështirësitë e saj në fillimet e karrierës, suksesin në skenat ndërkombëtare, por edhe jetën si një mama e dy fëmijëve.