Disa nga eksponentët më të rrezikshëm shqiptarë të krimit janë vënë në pranga jashtë shtetit dhe pritet ekstradimi I tyre në Shqipëri. Ishte data 17 maj 2021, kur 32-vjeçari Endri Mustafa, i njohur në Shkodër si person me precedentë penalë dhe i lidhur me grupe kriminale të qytetit, u gjet në anë të një shkurreje, i ekzekutuar me 6 plumba dhe i mbuluar nga balta. Për vrasjen e Mustafës, ishte shpallur në kërkim Ibrahim Lici, pas rrëfimit të 16 vjeçarit Ergys Malja. Para vetëm 4 ditësh, Lici përfundoi në qelitë e policisë turke, pasi në vitin 2021, ishte dënuar me burg, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit” nga Gjykata e Shkodrës. Sipas Hamza Licit, vëllai i tij Ibrahimi, nuk është arrestuar nga policia, por është vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndihet i sigurtë në Shqipëri.