Një fitore përtej çdo parashikimi, edhe përtej pritshmërive të vetë Edi Ramës. Mazhoranca socialiste u gjend para një realiteti të ri: pushteti i tyre ishte më i madh se kurrë... por edhe sfidat që duhej të përballnin, po aq të mëdha. Rama zgjodhi të ulte entuziazmin e fitores, të shmangte lavdinë brenda radhëve të tij dhe të kthehej te opinioni publik. Aksionet e prishjeve në Theth dhe lokalet në bregdet u shndërruan në oksigjen për mazhorancën. E bashkë me këto aksione, kreu i maxhorancës nuk harroi premtimin e tj për pavarësinë e drejtësisë teksa në postimet e tij në rrjetet sociale komentonte vendimet e gjyqtarëve, në anën e gabuar sipas tij. Nuk u ndal me kaq, teksa anonçonte shkarkimet e drejtorëve të bashkive, në një mesazh të qartë: “askush nuk është i paprekshëm.” Në korridoret e PS tensioni rritet. Të gjithë prisnin shtatorin dhe Edi Rama, mjeshtër i suspancës politike, e shtyu shpalljen e qeverisë së re më gjatë se kurrë: deri më 11 shtator kur dhe do të mbledhë Asambleë e Partisë Socialiste. Në anën tjetër të skenës Sali Berisha e kaloi verën i vetëm, duke denoncuar zgjedhjet, duke kërkuar vëmendje. Ndërkohë ish-deputetë e ish-eksponentë të PD-së flasin hapur për një foltore të dytë, si mundësinë e fundit për ta shpëtuar PD nga vdekja klinike pas katër mandatesh opozitë. Shtatori është vetëm fillimi! A do të sjellë ai një qeveri të re më të fuqishme se kurrë, apo përçarje të reja brenda mazhorancës? A do të sjellë një opozitë që ringjallet, apo një parti që zhytet edhe më shumë në krizë?