Debati për emërimin e Avokatit të Popullit ka rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhëniet e padukshme mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, marrëdhënie që shfaqen sa herë në horizont ka emërime të rëndësishme institucionale. Edhe këtë herë, pavarësisht retorikës së përditshme dhe akuzave që qarkullojnë publikisht, zhvillimet përreth kandidaturës së Endrit Shabanit tregojnë se dy polët kryesorë të politikës shqiptare dinë të gjejnë një pikë takimi kur interesi i përbashkët është më i fortë se përplasja. Mbështetja me firma e Shabanit nga një grup deputetësh të PD, shumë prej të cilëve figura të njohura të opozitës, krijoi menjëherë dyshimin se procesi po shkonte drejt një formule të negociuar. Refuzimi nga Komisioni i Ligjeve për të pranuar tërheqjen e firmave, të cilat demokratët tentuan t’i tërhiqnin kur panë qartazi se mazhoranca po avanconte me kandidaturën e Shabanit, i dha një dimension të ri polemikës. Ndërkohë, qëndrimi i socialistëve për të mos firmosur vetë, por për t’i lejuar demokratët të bënin lëvizjen e parë, krijoi një skemë që praktikisht ia hapi rrugën kandidaturës. Në këtë konfigurim, votimi i fshehtë pritet të jetë instrumenti final që do t’i mbyllë hesapet, me socialistët që parashikohen të japin numrat. Vendimi i PD për të mos marrë pjesë në votim synon të shmangë barrën politike, por nuk e ndalon dot procesin. E gjitha kjo krijon një tablo të qartë. PS dhe PD përplasen fort në publik, por në momentet kyçe rikthehen në një marrëdhënie funksionale, ku interesi politik mbizotëron mbi logjikën e betejës publike.