Në një bisedë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, mjeku i Shërbimit Infektiv prof. Tritan Kalo është shprehur se vetëm përforcimi i masave në vendin tonë dhe ndërgjegjja individuale për të respektuar largimin social, mund të shmangë skenarët e ngjashëm me Italinë për infektimin nga COVID-19. “Jam shumë dakort për masat e marra për distancimin social, është mirë që janë përforcuar, në mendimin tim mund edhe të pērforcohen më tepër. Sepse është e vetmja mundësi që u tregua efikase në eksperiencën kineze në ngadalësimin e sëmundjes dhe mbi të gjitha për ta shuar atë gradualisht. Nëse do të tregoheshim liberal, siç u treguan fqinjët tanë në Itali, me tej britanikët e spanjollët, kjo do të bëntë të shfaqeshin në vendin tonë skenarë të ngjashëm me to”, tha Kalo.