Që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara u rreshtuan menjëherë në krah të vendit të përballur me një agresor më të madh, më të egër, e shumë më të fuqishëm ushtarakisht. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e saj apo shteteve të tjera aleate në këtë luftë nuk ishte opsion; kjo do të shkaktonte një konflikt me Rusinë, përmasat e të cilit tmerrojnë që në mendim. Perëndimi megjithatë, nuk mund ta braktiste Ukrainën në ditët e saj më të errëta prej dekadash. Ndaj u zgjodh rruga e ndihmave financiare dhe ushtarake, si mënyra më e mirë për ta bërë të pamundurën të mundur, dhe për ta kthyer një ushtri të pastërvitur mirë e me pajisje të vjetëruara në një qëndrestare të admirueshme e frymëzuese. Dhe shumicën e parave të hedhura për këtë qëllim, e kanë dhënë Shtetet e Bashkuara.